Përplasje për tarifat amerikane, Presidenca i kundërpërgjigjet ministrit Murati: E turpshme dhe skandaloze

Menjëherë pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka kritikuar presidenten Osmani lidhur me kërkesën e saj për Qeverinë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë reaguar këshilltarët e  presidentes, Bekim Kupina dhe Donika Kadaj.

Kupina përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet.

“Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial, një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional”. ka shkruar Kupina, transmeton Telegrafi.

Tutje Kupina është shprehur “E turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës është deklarata e tij e sotme”.

“Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor, e leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”, ka shkruar ai.

Lidhur me deklaratwn e ministrit Murati ka reaguar edhe kwshilltarja tjetwr e presidentes Osmani, Donika Kdaj, e cila ka thwnw se “Ministri i Financave në detyrë qenka anku që Kryeministri ka marrë një shkresë nga Presidentja pas orarit të punës. Po qysh bre, a mbyllet Qeveria në ora 16:00? Kur osht puna për vendime të rëndësishme për shtetin, s’ka orar zyrtar”.

“Na paska njoftu edhe që prej 2023-ës e paska ‘shqyrtu’ këtë propozim. Paskemi prit boll atëherë! Ama për disa çështje paska kohë me shqyrtu sa të dojë, e për disa tjera s’po ngutët hiç. Për invalidët e luftës, për shembull, iu dasht me u marrë me buxhetin për proteza derisa njerëzit kanë mbet në shtrat, tuj prit për një shtraf… Qenka i shpejtë vetëm kur i konvenon!”, ka shkruar Kadaj në Facebook.

“E marrëveshjet me Katarin? Një prej aleatëve më të mëdhenj të Amerikës, me potencial të madh për investime? Edhe ato i ke mshelë në sirtar, tu prit mos po shqyrtohen vetë”.

“E paske thonë që puna e tarifave osht çështje e ekzekutivit. Ama puna e ekzekutivit osht me vepru, jo me të shku mandati tu “shqyrtu””, ka shkruar ajo.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHhA).

Presidentja kërkoi pezullimin e tarifave për produktet amerikane, i reagon Murati: Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave

Murati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të”.

“Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se “secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”.

Ndryshe, presidentja Osmani i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Në një postim në platformën X, Vjosa Osmani ka theksuar se ky hap do të forcojë marrëdhëniet ekonomike me aleatin më të afërt të Kosovës dhe do të dërgojë një mesazh të qartë për gatishmërinë e vendit drejt një partneriteti më të fuqishëm me SHBA-në. /Telegrafi/