Çitaku: PDK s’ka marrë letër nga LVV-ja, bashkëqeverisja me ta pothuajse e pamundur

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku tha se nuk kanë marrë asnjë ftesë për takim nga Lëvizja Vetëvendosje.

Çitaku tha se nuk do ta mbanin të fshehtë nëse një letër e tillë do të vinte, teksa shtoi se nuk frikësohen të flasin me njëri-tjetrin.

“Nuk do ta kishim fshehur sikur të kishte ardhur, sigurisht se do ta bënim publike. Nuk ka ardhur asnjë letër në adresë të PDK-së”.

“Ne nuk duhet të frikësohemi asnjëherë të flasim me njëri-tjetrin. Po flas personalisht më shumë sesa zyrtare partiake, unë s’i frikësohem takimit me askënd. Mirëpo me kë zgjedh të qeverisësh, pastaj është çështje tjetër”, tha Çitaku në Klan Kosova.

Tutje, Çitaku u shpreh se mbi bazën e afërsisë politike, programore dhe ideologjike, bashkëqeverisja mes PDK-së dhe Vetëvendosjes është gati e pamundur.

“Zgjedhja e partnerëve të koalicionit nuk bëhet në bazë të preferencave individuale dhe personale, por mbi bazën e afërsisë politike, programore, ideologjike dhe hendeku mes PDK-së dhe LVV-së është shumë i madh dhe i thellë”.

“Do të ishte pothuajse e pamundur, për thënë absolutisht e pamundur që PDK-ja të bashkëqeverisë me LVV-në”, tha ajo.