Ish-ambasadori i Kosovës, Lulzim Peci, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe deklaratat e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje rreth sigurimit të votave të mjaftueshme për formimin e qeverisë së re. Ai tha se pretendimet për sigurimin e dy votave mbeten ende në domenin e spekulimeve dhe dëshirave politike.
“Mendoj se është ende në domen të spekulimit dhe në domen të dëshirave. Kjo krejt do të vërtetohet brenda disa ditësh. Çfarëdo qeverie që do të themelohet tani, do të jetë jo-stabile, një qeveri që mund të bie në çdo moment dhe e dobët”, u shpreh Peci në RTV21.
Ai vlerësoi se nëse opozita e ka vullnetin politik, ajo mund të formojë një qeveri më stabile se Vetëvendosje.
“Nëse opozita ka vullnet politik, kishte mundësi me kriju një qeveri pak më stabile sesa LVV. Politikisht do të ishte shumë më mençur që të lihen anash patriotizmat me bateri dhe të përfshihet edhe Lista Serbe në koalicion”, shtoi ai.
Peci gjithashtu vuri në pah se mesazhet që vijnë nga LVV janë kontraverse dhe të paqarta.
“Sinjalet janë kontraverse. Konjufca tha që nuk i kanë votat, pastaj disa deklaruan se i kanë. Kusari përfundimisht tha se nuk i kanë. Pra, jemi në situatë ku ende nuk është e qartë. Realiteti do të shihet me 15 prill apo ditëve në vijim”, tha ai.
Sipas Pecit, këto paqartësi e lënë të hapur rezultatin përfundimtar të përpjekjeve për formimin e qeverisë, ndërsa zhvillimet e ardhshme politike mbeten për t’u parë.