Gjatë seancës gjyqësore lidhur me rastin e sulmit në Banjskë, përfaqësuesit ligjorë të të dëmtuarve kërkuan nga trupi gjykues që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
Avokati Arianit Koci e cilësoi sulmin si një akt terrorist dhe theksoi nevojën për dënim maksimal.
“Kemi të bëjmë me një akt qyqar që nuk synoi vetëm jetën e njerëzve, por edhe destabilizimin dhe zhbërjen e shtetit tonë. Kërkoj që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm – ky është minimumi që i takon drejtësisë në Kosovë”, deklaroi Koci.
Ai kërkoi gjithashtu që të nisë sa më parë procesi gjyqësor në mungesë për të akuzuarit që nuk janë të pranishëm.
Ndërsa, avokati Naim Rudari, përfaqësues i të dëmtuarit Alban Rashitaj, e përshkroi ditën e sulmit si një moment tragjik.
“Ora 2 e mëngjesit ishte një çast i tmerrshëm për familjen Bunjaku, për Alban Rashitajin dhe për të gjithë të tjerët që u prekën. Ishte gjithashtu një ditë sfiduese për Policinë e Kosovës, por ata treguan profesionalizëm dhe arritën të neutralizojnë një grup të mirë organizuar brenda 24 orësh”, u shpreh Rudari.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kërkesës pasurore juridike për klientin e tij, duke vënë në pah edhe pozitën e palëve në sallën e gjyqit. “Zotëria që po ulet këtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës. Mendoj se ky vend nuk është i përshtatshëm për të, pasi është paraparë për Prokurorin e Posaçëm”, shtoi ai. /Telegrafi/