Seanca ndaj tre serbëve të dyshuar për sulmin në Banjskë, Prokuroria prezanton video të planifikimeve për sulme

Në Gjykatën Themelore e Prishtinës, Departamenti Special sot ka nisur shqyrtimi gjyqësor në çështjen penale të njohur si rasti “Banjska” kundër tre të dyshuarve, Vlladimir Tolliqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Dushan Maksimoviqit.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi,  deklaroi se tre të pandehurit akuzohen për veprat terroriste, derisa tha se ky nuk është një gjykim i zakonshëm, transmeton Telegrafi.

“Përpjekjet për ndërtimin e Republikës, u vu në rrezik më shtator 2023, ku një grup kreu sulmet më të rënda terroriste në Komunën e Zveçanit. Ky sulm kishte një qëllim të qartë, shkëputjen e komunave të Republikës së Kosovës. Pasojat ishin vrasja e policit Afrim Bunjaku, plagosja e zyrtarëve policor, Alban, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu. Prokuroria Speciale do të paraqes prova dhe fakte, prokuroria do të prezantojë video dhe incizime ku vërtetohen takimet e para të grupit për kryerjen e veprave penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit”, tha ai.

Nga sulmi terrorist në Banjskë u vra polici Afrim Bunjaku. Pas sulmit, ishte sekuestruar një sasi e madhe e armëve dhe municionit./Telegrafi/