Ivan Videnoviq, profesor i së drejtës në Universitetin e Beogradit dhe kritikues i njohur i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka ngritur alarmin për ndikimin e thelluar të Kishës Ortodokse Serbe në politikën shtetërore dhe për afërsinë e rrezikshme të Serbisë me Rusinë.
Në një reagim publik, Videnoviq ka kritikuar ashpër takimin e fundit mes patriarkut serb Porfirije dhe presidentit rus Vladimir Putin, takim që u zhvillua në Kremlin.
Ai e ka cilësuar këtë si shenjë të përfshirjes së drejtpërdrejtë të Kishës Ortodokse Serbe në orientimin gjeopolitik të vendit, në dëm të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
“Kuptojmë qartë se kjo nuk është thjesht diplomaci fetare, por përfshirje e drejtpërdrejtë e Kishës në projektin politik të Aleksandar Vuçiq, i cili e orienton Serbinë drejt një blloku autoritar,” tha Videnoviq.
Ai komentoi disa imazhe të publikuara së fundmi që tregojnë:
Imazh ku shihet Harta e Kosovës. “Ta marrim Kosovën me forcë dhe ta përfundojmë fillimin e gjenocidit”.
Ushtarë serbë me simbolin “Z” – i përdorur nga forcat ruse në luftën në Ukrainë – duke mbajtur flamurë me ikonografi fetare dhe slogane nacionaliste.
Ushtarë të tjerë të gjunjëzuar në një kishë para ikonave ortodokse, në një përzierje të drejtpërdrejtë mes ushtrisë dhe fesë.
Patriarku Porfirije në një tryezë zyrtare me presidentin rus Vladimir Putin, në një takim që thellon lidhjet politike dhe ideologjike mes Kishës serbe dhe Kremlinit.
Sipas Videnoviqit, Serbia e Vuçiqit po largon vendin nga rruga drejt Bashkimit Evropian, duke e orientuar kah një projekt fetaro-nacionalist me mbështetje nga Rusia.