Grupi “Asnjë Cent Më Shumë” nesër dorëzon padi kundër ZRRE për rritjen e tarifave të energjisë

Grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë” ka njoftuar se të premten, më 2 maj 2025, në ora 11:00, do të dorëzojmë zyrtarisht padinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në lidhje me vendimin e fundit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, padia do të dorëzohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Pallati i Drejtësisë.

Pas dorëzimit të padisë, përfaqësues të grupit do të japin një deklaratë për media, ku do të shpjegohen bazat ligjore të padisë dhe pasojat që ky vendim i ZRRE-së po shkakton mbi mirëqenien e qytetarëve.

​Grupi “Asnjë cent më shumë” është një iniciativë qytetare në Kosovë që u formua si reagim ndaj rritjes së çmimeve të energjisë elektrike. Ky grup organizoi protesta në Prishtinë, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve që, sipas tyre, do të rëndonin ekonomikisht qytetarët. Një nga protestat u mbajt më 25 shkurt 2022, ku qytetarët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj shtrenjtimit të rrymës.

Protestat e organizuara nga ky grup janë pjesë e një vale më të gjerë të mobilizimeve qytetare në Prishtinë, ku qytetarët kanë marrë iniciativën për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj vendimeve qeveritare që prekin jetën e përditshme. /Telegrafi/