Hyrjet kryesore të Prishtinës nesër do të mbyllen shkaku i protesës së OEK, Komuna del me njoftim

28/05/2025 19:42

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër disa nga hyrjet kryesore të Prishtinës do të jenë të mbyllura përkohësisht, si pasojë e një proteste të paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Protesta do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në ora 12:00, si shenjë kundërshtimi ndaj procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.

Në njoftimin e Komunës thuhet se zonat që do të preken nga bllokimi janë: Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, përfshirë rrugën pranë Albi Mall dhe pjesën poshtë Veternikut (akseset nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti), hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, konkretisht në rrethin e Madh te Lakrishtja (Dukagjini Tower) dhe hyrja nga Podujeva, në lagjen Vranjevc – përfshirë zonën te ish-Humanisti dhe udhëkryqin pranë bankës Raiffeisen (bllokohet qasja në drejtim të Podujevës dhe nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviqit).