Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se kompania Coca-Cola ka pranuar të përdorë “sheqer të vërtetë të kallamit” si ëmbëlsues në pijet e saja që shiten në tregun amerikan.
“Unë fola me Coca-Cola-n rreth përdorimit të sheqerit të vërtetë të kallamit në Coca-Cola në Shtetet e Bashkuara dhe ata ranë dakord. I falënderoj të gjithë ata që morën këtë vendim brenda kompanisë Coca-Cola”, tha Trump nëpërmjet rrjetit social Truth Social.
Ky hap vjen si pjesë e iniciativës “Bëjmë Amerikën të Shëndetshme Sërish”, e nisur nga administrata e Trumpit, e cila synon të nxisë industrinë ushqimore që të heqë përbërësit artificialë si ngjyrat artificiale nga produktet e saj.
Fushata është në përputhje me politikat shëndetësore që promovon Robert F. Kennedy Jr., sekretari aktual i Shëndetësisë.
Coca-Cola që shitet në SHBA zakonisht ëmbëlsohet me shurup misri me përmbajtje të lartë fruktoze, ndërsa në vende të tjera, përfshirë Meksikën dhe pjesë të Evropës, përdoret shpesh sheqeri i kallamit.
Kennedy më parë ka kritikuar konsumimin e lartë të sheqerit në dietën amerikane dhe ka njoftuar se udhëzimet e reja ushqimore, që pritet të publikohen këtë verë, do t’u rekomandojnë amerikanëve konsum më të madh të “ushqimit të vërtetë, të plotë”. /Telegrafi/