Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka bërë një thirrje publike drejtuar kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Memli Krasniqit, gjegjësisht Lumir Abdixhikut, për të bashkëpunuar në krijimin e një shumice të re parlamentare dhe qeveritare.
Duke folur pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit, Haradinaj u shpreh se ftesa për vazhdimin e seancës në orën 22:00 nuk do të sjellë zgjidhje konkrete dhe e konsideroi si të nevojshme formimin e një shumice të re që do t’i jepte vendit stabilitet institucional.
“Sot është bërë e qartë se mungon vullneti për të arritur një zgjidhje. Çdo deputet me përvojë minimale ka qenë i gatshëm të kontribuojë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Por është e dukshme se Kryeministri Kurti po e zvarrit situatën, ndoshta duke përdorur emrin e Albulena Haxhiut, jo sepse ajo është zgjidhja më e mirë, por për të çuar këtë krizë pafundësisht,” tha ai.
Haradinaj theksoi se edhe mbledhja e planifikuar në mbrëmje nuk do të prodhojë rezultat për shkak të mungesës së numrave.
“Prandaj, i bëj thirrje publike kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, si dhe të gjithë atyre që kanë vullnet, që në një të ardhme të afërt të ofrojmë një mazhorancë të re për Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës”, deklaroi ai. /Telegrafi/