Një nga pilotët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Lewis Hamilton, ka reaguar sërish me shqetësim ndaj asaj që po ndodh në Rripin e Gazës, duke dënuar ashpër veprimet e ushtrisë izraelite dhe heshtjen ndërkombëtare përballë vuajtjeve të popullatës palestineze.
Hamilton publikoi një reagim të fuqishëm në Instagram, ku ndau foto dhe mesazhe prekëse, ndër to edhe një imazh tronditës të një nëne me fëmijën e saj të uritur, që nuk kishte ngrënë prej ditësh.
“Është e vështirë të gjej fjalë për të përshkruar tmerrin e plotë që ndjej duke parë atë që po ndodh në Gaza”, shkroi fillimisht britaniku.

“Fëmijët po vdesin urie, ndërsa organizatat humanitare nuk mund të ofrojnë ushqim, ujë të pastër apo ndihmë mjekësore – gjërat më bazike për jetesë.
“Nuk ka asnjë justifikim për këtë”, thuhet në shkrimin e Hamilton.
Sipas Hamiltonit, më shumë se 100 fëmijë janë vrarë vetëm në javën e parë të këtij muaji, dhe ai e konsideron të papranueshme që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë pasiv përballë një tragjedie të tillë.
“Heshtja dhe mungesa e veprimit nga bashkësia ndërkombëtare do të gjykohen nga brezat e ardhshëm”, shtoi Hamilton.
“Çdo ditë që kalon pa armëpushim dhe pa lejuar ndihmat të arrijnë te palestinezët, nënkupton më shumë jetë të humbura”.
“Ata që janë në pushtet duhet të bëjnë gjithçka që munden për t’i dhënë fund kësaj vuajtjeje – dhe duhet ta bëjnë tani”, përfundoi piloti i Formula 1.
Krahas reagimit, ai publikoi edhe disa mënyra të mundshme për të ndihmuar njerëzit në Gaza, duke i bërë thirrje ndjekësve që të mos qëndrojnë indiferentë. /Telegrafi/