E diel, 27 Korrik, 2025
29.3 C
Klina

Situata me zjarret, presidentja Osmani: FSK-ja është në gjendje gatishmërie

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se komuna të shumta të vendit tonë po përballen me vatra të shumta zjarri që po shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore.

Ajo theksoi se situata është sfiduese dhe kërkon reagim të koordinuar dhe të menjëhershëm nga të gjitha nivelet.

“Në këto momente, shpreh solidaritetin tim të plotë me të gjithë qytetarët e prekur, me fermerët që po humbin frytet e mundit dhe djersës së tyre, si dhe me ekipet emergjente që po punojnë pa u ndalur për t’i vënë nën kontroll këto zjarre. Mirënjohje të thellë për zjarrfikësit tanë, për punonjësit e emergjencës dhe për të gjithë vullnetarët që me guxim dhe përkushtim janë në vijën e parë të përballjes me flakët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

E para e shtetit theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme.

“FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë tek autoritetet përkatëse. Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

Mbështetja dhe bashkëpunimi i secilit prej nesh është thelbësor për ta përballuar këtë situatë”, thekson presidentja. /Telegrafi/

Top Lajme