Pas vendimit të Partisë Demokratike të Kosovës për të mos e rikandiduar në garën për kryetar të komunës së Drenasit, ka reaguar Ramiz Lladrovci.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lladrovci u shpreh i vendosur se karriera e tij politike nuk është në përfundim dhe se fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët.
“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di. Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre,” shkroi ai.
Ai shtoi se mbështetja e qytetarëve të Drenasit mbetet vendimtare.
“Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”
Reagimi i tij vjen pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u miratua lista përfundimtare e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, listë në të cilën Lladrovci nuk është përfshirë.