Partia Demokratike e Kosovës ka miratuar sot listën përfundimtare të kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Në një mbledhje të mbajtur nga Kryesia e PDK-së, përveç diskutimit mbi zhvillimet politike dhe institucionale në vend, u përmbyll edhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve që do të garojnë në 31 komuna.
PDK ka theksuar se pas përfundimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, vendi ndodhet në një krizë të thellë kushtetuese dhe institucionale, duke shtuar se po shkon drejt një terreni të panjohur ligjor dhe politik.
Partia njoftoi se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e dërguar nga deputetët e saj, në mënyrë që të qartësohet rruga për formimin e institucioneve të reja dhe legjitime.
Sa i përket zgjedhjeve lokale, PDK ka hyrë në këtë garë me qëllim të rifitimit të komunave ku tashmë qeveris, por edhe me synimin për të fituar në komuna të tjera ku, siç u theksua, qytetarët kërkojnë ndryshim dhe vizion të ri.
Kryesia e partisë ka miratuar kandidaturat për 31 komuna, ndërsa në katër prej tyre – Mitrovicë, Drenas, Skenderaj dhe Kaçanik – janë ndryshuar kryetarët aktualë.
Kryetarët në largim Bedri Hamza, Ramiz Lladrovci, Fadil Nura dhe Besim Ilazi nuk janë kandidatë për mandatin e ardhshëm, por PDK u shpreh mirënjohëse për kontributin e tyre gjatë qeverisjes.
Kandidatët e miratuar për 31 komunat janë:
1. Prishtinë – Uran Ismaili
2. Ferizaj – Agim Aliu
3. Prizren – Shaqir Totaj
4. Mitrovicë – Arian Tahiri
5. Vushtrri – Ferit Idrizi
6. Skenderaj – Sami Lushtaku
7. Drenas – Petrit Hajdari
8. Kaçanik – Sabedin Vishi
9. Hani i Elezit – Mehmet Ballazhi
10. Gjilan – Riad Rashiti
11. Pejë – Arta Nallbani
12. Gjakovë – Ervin Shabani
13. Klinë – Sokol Bashota
14. Lipjan – Shukri Buja
15. Shtime – Përparim Ramusa
16. Dragash – Shaban Shabani
17. Malishevë – Gëzim Krasniqi
18. Rahovec – Edon Cana
19. Suharekë – Dardan Berisha
20. Podujevë – Isak Shabani
21. Fushë Kosovë – Rrahim Tërrnava
22. Kamenicë – Jona Arifi
23. Viti – Bekim Azizi
24. Istog – Ali Nimanaj
25. Deçan – Korab Mushkolaj
26. Zubin Potok – Izmir Zeqiri
27. Zveçan – Ilir Peci
28. Mitrovicë e Veriut – Flutura Hamza
29. Leposaviq – Shaqir Hetemi
30. Shtërpcë – Garip Sahiti
31. Novobërdë – Selatin Nuhiu
PDK do të garojë gjithashtu në katër komuna të tjera – Obiliq, Junik, Kllokot dhe Mamushë – vetëm me listë për asamblistë.
Në Graçanicë, PDK do të jetë pjesë e një liste të përbashkët me të gjitha partitë tjera shqiptare.
Me këtë listë, PDK e përmbyll fazën e kandidimit dhe hyn në fushatë me synimin për të reflektuar vizionin e saj për një qeverisje efikase, transparente dhe në shërbim të qytetarëve në çdo komunë të Kosovës.