Një person është mbytur në Liqenin e Ujmanit, pasi është hedhur nga ura dhe nuk ka dalë më nga uji.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila njoftoi se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites.
Sipas raportimeve nga mediat lokale, personi në fjalë është Rrahim Latifi, 33-vjeçar nga fshati Cerajë i Mitrovicës.
I ndjeri jetonte si mërgimtar në Suedi dhe ishte kthyer për pushime në Kosovë.
Shefi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës së Veriut, Petrit Fejza, tha se trupi i tij ende nuk është gjetur.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet përkatëse dhe janë duke e kërkuar trupin e tij në liqen. Njësitë e kërkim-shpëtimit ndodhen në terren dhe po punojnë për gjetjen e trupit,” deklaroi Fejza.
Policia dhe ekipet emergjente po vazhdojnë operacionin e kërkimit, ndërsa nuk janë bërë të ditura ende rrethanat e plota të ngjarjes.