Prej disa orësh, disa fshatra të komunës së Klinës janë pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Fshatrat e prekur janë: Jashanica, Pograxha, Resniku, Gjurgjeviku i Madh, Dushi, Shatrica, Siqeva dhe Ujëmiri.
Banorët e këtyre zonave janë të shqetësuar dhe të revoltuar për mungesën e furnizimit me shërbimet bazë. Ata thonë se përveç vështirësive në përditshmëri, po përballen edhe me temperatura të larta dhe nuk kanë mundësi të ruajnë ushqimin apo të kryejnë nevojat higjienike.
Sipas tyre, askush nga institucionet nuk ka dalë në terren për të dhënë një sqarim apo për të njoftuar se kur do të kthehet rryma dhe uji. Kjo po u shkakton telashe të mëdha sidomos familjeve me fëmijë dhe të moshuar.
Ata kërkojnë urgjentisht ndërhyrje nga KEDS,dhe komuna e Klinës, në mënyrë që të rikthehet sa më shpejt furnizimi i nevojshëm dhe të mos përsëriten më raste të tilla.