E martë, 19 Gusht, 2025
17.4 C
Klina

Posta e Kosovës lëshon në shitje pullat postare me imazhin e Dua Lipa në kuadër të ‘Sunny Hill 2025’

Në një nismë që shpreh respektin dhe krenarinë për suksesin ndërkombëtar të artistes me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, Posta e Kosovës ka rikthyer në qarkullim një seri të veçantë të pullave postare me imazhin e saj.

Kjo seri u lëshua për herë të parë gjatë verës së vitit 2022, ndërsa tani, me rastin e festivalit “Sunny Hill 2025”, ato janë vendosur sërish në dispozicion të qytetarëve dhe vizitorëve.

Në një postim zyrtar, Posta e Kosovës shkroi: “Le të jetë çdo letër një kujtesë: Zëri i vendit tonë jehon në të gjithë globin”, duke e shoqëruar me hashtagun #DuaLipaVibes.

Ky mesazh jo vetëm që nderon suksesin e këngëtares, por gjithashtu e kthen atë në një simbol zyrtar të identitetit kulturor dhe krenarisë kombëtare.

Fotografitë e publikuara tregojnë pullat postare të ekspozuara në stenda të veçanta, ku kalimtarët kanë mundësinë t’i blejnë ato.

Kjo atmosferë është krijuar në kuadër të nisjes së festivalit “Sunny Hill 2025”, që hap dyert këtë të premte dhe ku Dua Lipa do të jetë një nga emrat kryesorë që do të performojnë në skenë.

Iniciativa për rikthimin e kësaj serie vjen si një vlerësim për ndikimin e pakrahasueshëm që Dua ka sjellë për Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke e bërë emrin e vendit të saj të dëgjohet dhe të njihet përmes muzikës dhe kontributit të saj artistik. /Telegrafi/

Top Lajme