Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Klinë ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të pushtetit aktual, duke i cilësuar ato si blerje të hapur të votave përmes asfaltimit të oborreve private, vetëm dy ditë para zgjedhjeve.
Sipas denoncimeve të qytetarëve dhe pamjeve të dërguara në adresë të PDK-së, në fshatin Ujmir po zhvillohen punime asfaltimi në prona private, veprim që sipas opozitës lokale përbën shfrytëzim të resurseve publike për përfitime politike.
“Në këto momente, në Ujmir po shtrohen oborret e shtëpive me asfalt. Për Zenun Elezajn dhe pushtetin e tij në ikje, duket se qëllimi e justifikon mjetin. Mjeti është asfaltimi me paratë e taksapaguesve, ndërsa qëllimi është marrja e votës me çdo kusht,” thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia thekson se kjo është fytyra e vërtetë e një pushteti që e kujton qytetarin vetëm kur i duhen votat, duke i bërë thirrje institucioneve të mbikëqyrin me kujdes çdo veprim të tillë.
“Pas 12 tetorit, këto manipulime do të marrin fund,” përfundon reagimi i PDK – Dega në Klinë, duke u zotuar për qeverisje të ndershme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
