Rita Ora kritikohet nga fansat pasi tregoi një shpenzim të pavend që bëri, shumë e cilësojnë si shpërdorim parash në kohë krize

Rita Ora është përballur me kritika të forta për një vendim të pazakontë udhëtimi, që shumë e kanë cilësuar si të shkëputur nga realiteti.

Këngëtarja e popit, 34 vjeçe, publikoi para disa javësh një video në TikTok, ku tregonte se kishte vendosur papritur të udhëtonte drejt Australisë gjatë një nate ku kishte konsumuar alkool – dhe fansat nuk e pritën mirë.

“Nata e kaluar: e dehur sugjerova që të shkonim në Australi në mëngjes”, shkruante ajo mbi një imazh të saj, duke përshkruar situatën, shkruan DailyMail.

Më pas shtoi vendndodhjen: “Tani jam në Sydney”.

Ndjekësit reaguan menjëherë në seksionin e komenteve, duke e kritikuar këngëtaren për mungesën e ndjeshmërisë ndaj krizës së kostos së jetesës dhe për faktin që bën udhëtime të shtrenjta në mënyrë spontane.

“Unë i dehur thashë: ‘Do porosis diçka për të ngrënë’, më pas më refuzoi karta dhe rashë në gjumë, u zgjova në shtratin tim”, shkroi dikush me ironi.

“Nuk mund të lidhem me këtë, sepse jam i varfër”, shtoi një tjetër

Një ndjekës e kritikoi me vetëm dy fjalë të ashpra: “Privilegj i pasur”. “Kjo më bën të ndihem i varfër”, shkroi dikush tjetër.

Një përdorues e këshilloi Ritën që “të lexojë situatën”, ndërsa një tjetër komentoi: “E shkëputur totalisht nga realiteti”.

Rita ka kaluar kohë të konsiderueshme në Australi, ku ka qenë pjesë e jurisë së The Voice Australia për dy sezone, nga viti 2021 deri në 2023.

Bashkëthemeluesja dhe njëkohësisht mikja e saj, Anna Lahey – me të cilën themeloi brendin e kujdesit për flokët ‘Typebea’ – jeton në Sydney, çka e bën qytetin një pikë të rregullt për takime biznesi.

Rita është e martuar me regjisorin me origjinë nga Zelanda e Re, Taika Waititi, dhe çifti ka një shtëpi në Auckland – duke e pasur kështu Sydney afër për vizita të shpeshta.

Edhe bashkëshorti i saj ndodhet shpesh në Australi për projekte filmike, sidomos për filmat blockbuster të Marvel.

Rita nuk është e panjohur me udhëtimet nëpër botë – javën e kaluar u shfaq me një buzëqeshje të madhe në fytyrë gjatë një paraqitjeje në Düsseldorf të Gjermanisë, ku veshi një kombinim interesant. Ajo kishte veshur një xhaketë të madhe elegante, të kombinuar me një këmishë të kaltër të çelët dhe kravatë, duke e kompletuar pamjen me një fustan të shkurtër të zi.

Gjatë eventit të promovimit të linjës së saj të re të kujdesit për flokët, Rita bëri ndërrim veshjesh dhe u shfaq me një fustan të kaltër elegant, teksa bashkëbisedonte me fansat.

Duke promovuar bashkëpunimin Douglas x Typebea, këngëtarja e hitit Poison shfaqi kaçurrelat e saj perfekte në ngjyrë mjalti dhe pozoi e buzëqeshur me disa produkte në dorë.

Rita u shoqërua nga partnerja e saj australiane në biznes, Anna, dhe të dyja ndaluan për disa fotografi gjatë eventit, përpara se të ngjiteshin në skenë për një bisedë me publikun. /Telegrafi/