Gara për titullin, Evropën dhe mbijetesën – Kush me kë luan në pesë xhirot e fundit në Superligë 

Elita e futbollit kosovar, Albi Mall Superliga është futur në fazën finale dhe vazhdon të mbetet gjithçka e paqartë.

Titulli, Evropa dhe mbijetesa vazhdon të jetë ende e hapur me nëntë skuadra që vazhdojnë të jenë brenda objektivave që kishin në fillim të sezonit.

E vetmja skuadër pa objektiva është Feronikeli ’74, që tanimë edhe matematikisht ka rënë nga Superliga, por që po vazhdon të respektoj kampionatin duke luajtur fort ndaj të gjitha skuadrave.

Titulli mund të mbyllet këtë javë, por edhe mund të vazhdoj drama. Drita aktualisht ka nëntë pikë më shumë se Ballkani kur kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar deri në fund të kampionatit.

Gjilanasit shpresojnë ta mbyllin çështjen e titullit këtë xhiro dhe kjo arrihet vetëm nëse mposhtin Llapin dhe Ballkani humbet nga Prishtina. Nëse ndodh e kundërta që Drita të humbas dhe Ballkani të fitoj, atëherë edhe çështja e titullit do të jetë edhe më e zjarrtë, pasi pas dy javëve dy skuadrat takohen në Suharekë.

Drita deri në fund të sezonit do t’i luaj edhe pesë ndeshje, ku tre nga to i luan në shtëpi ndaj Llapit, Dukagjinit dhe Feronikelit ’74, ndërsa ndeshjet në udhëtim i ka ndaj Ballkanit dhe Gjilanit.

Nga ana tjetër Ballkani ka tre ndeshje në udhëtim dhe dy në shtëpi. Kampioni në fuqi i Kosovës që ka 57 pikë, nëntë më pak se lideri Drita luan ndaj Prishtinës, Ferizajt dhe Suharekës në udhëtim dhe para adhuruesve të vet pret Dritën dhe Llapin.

Gara e nxehtë për pozitën e tretë, por edhe për t’i ikur barazhit dhe t’iu shmangur rënies

Përveç Dritës dhe Ballkanit që po luftojnë për titullin, pjesa tjetër e skuadrave po luftojnë për pozitën e tretë, t’i shmangën rënies ose barazhit.

Nga Malisheva që është e treta në tabelë me 47 pikë te Dukagjini që është e teta në tabelë (pozitë që i dërgon skuadrat në barazh) me 40 sosh janë vetëm shtatë pikë diferencë.

Suhareka është e nënta me 33 pikë dhe ndodhet në një pozitë më të vështirë, pasi objektivi është vetëm t’i shpëtoj rënies dhe gjasat për Evropë janë thuajse të pamundura.

Malisheva rrezikun më të madh e ka nga Ferizaj, pasi ndodhet vetëm dy pikë mbrapa, por edhe nga Gjilani me pesë sosh.

Skuadra e Bekim Isufit në pesë ndeshjet e fundit në kampionat luajnë tri në shtëpi ndaj Dukagjinit, Feronikelit dhe Suharekës, derisa në udhëtim përballen me Gjilanin dhe Prishtinën.

Në pozitën e katërt është Ferizaj me 45 pikë, por kjo skuadër do t’i luaj tre ndeshje në udhëtim ndaj Suharekës, Llapit dhe Dukagjinit, derisa pret në shtëpi Ballkanin dhe në fund Gjilanin.

Gjilani është një tjetër skuadër që kërkon Evropën, por edhe t’i shmanget barazhit. ‘Skifterat’ do të përballen me Feronikelin, Prishtinën dhe Ferizajn në udhëtim, por para adhuruesve të vet presin Malishevën dhe Dritën.

Llapi, Prishtina dhe Dukagjini ndajnë pozitat, gjashtë, shtatë dhe tetë me nga 40 pikë.

Llapjanët në pesë duelet e ardhshme luajnë ndaj Dritës në udhëtim, presin Ferizajn, përballen me Suharekën dhe Ballkanin jashtë shtëpisë dhe në fund kanë duelin direkt me Dukagjinin.

Prishtina do të luaj tre sfida në shtëpi dhe dy të tjera në udhëtim. Kryeqytetasit presin Ballkanin, Gjilanin dhe Malishevën, derisa luajnë jashtë shtëpisë me Dukagjinin në Klinë dhe Feronikelin ’74 në Drenas.

Ndeshje të vështira e presin edhe Dukagjinin, ku skuadra e udhëhequr nga Ismet Munishi përballet në udhëtim me Malishevën, Dritën dhe Llapin, derisa në shtëpi luajnë me Prishtinën dhe Ferizajn.

Suhareka është skuadra që u fut në Superligë me ambicie të mëdha, por tani i duhen pesë fitore në pesë xhirot e fundit për t’iu shmangur rënies. Të besuarit e Mirel Josës do të luajnë në shtëpi me Ferizajn, Llapin dhe Ballkanin, derisa sfidat jashtë shtëpisë i kanë me Feronikelin ’74 dheMalishevën. /Telegrafi/