Real Madridi është afër përfundimit të marrëveshjes për nënshkrimin e Trent Alexander-Arnold nga Liverpooli, raporton ESPN.
Kontrata e lojtarit me Liverpoolin skadon më 30 qershor, duke e bërë atë të lirë për një transferim pa pagesë.
Alexander-Arnold tanimë ka arritur marrëveshje me Real Madridin dhe do t’iu bashkohet atyre në verë, por megjithatë, dy klubet po negociojnë një shumë kompensimi për ta lejuar atë të largohet para kohe.
Liverpooli kërkon rreth 1 milion euro për ta liruar 25-vjeçarin para përfundimit zyrtar të kontratës.
Alexander-Arnold shihet nga Madridi si një përforcim i rëndësishëm për krahun e djathtë të mbrojtjes, një pozicion që klubi ka dashur ta forcojë prej kohësh.
Los Blancos shpresojnë që ai të jetë pjesë e skuadrës për Kupën e Botës për Klube këtë verë në SHBA.
Përvoja dhe aftësitë e tij si në mbrojtje ashtu edhe në ndërtimin e sulmeve e bëjnë atë një element të çmuar për projektin e ri të klubit.
Ky transferim mund të jetë hapi i parë në një verë me përforcime të mëdha për Realin, teksa pritet epoka e re nën drejtimin e Xabi Alonsos. /Telegrafi/