Analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar 48 mandate në Kuvendin e Kosovës, do ta ndryshonte kandidaten për kryetare të Kuvendit, kriza institucionale që ka bllokuar konstituimin do të ishte zgjidhur tashmë.
Në emisionin Debat Plus, Mushkolaj tha se kandidatura e Albulena Haxhiut po mbahet si mjet presioni dhe se për ta tejkaluar këtë situatë, është i domosdoshëm kompromisi politik, përfshirë edhe në emrin e kandidatit.
“Haxhiu mund të tërhiqet për një ujdi. Nuk e shoh si emër të betonuar. Ajo po përdoret si avancë për të siguruar vota. Nëse Vetëvendosje do t’i kishte votat për qeveri dhe do ta ndryshonte kandidaten, do të ndryshonte gjithë qasja politike, sidomos në raport me PDK-në dhe AAK-në”, tha Mushkolaj.
Sipas tij, problemi kryesor nuk është kandidati, por zgjidhja e krizës dhe formimi i institucioneve.
“Kërkohet kompromis. Nëse nuk bëhet kompromis as në emrin e kandidates, atëherë mbetemi në këtë ngërç, me Kuvendin që nuk funksionon”, shtoi ai.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se nuk ka asnjë diskutim për tërheqjen e kandidaturës së Haxhiut.
“Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. Votimi është i fshehtë dhe opozita po e pamundëson kuorumin në mënyrë të padrejtë”, u shpreh Kurti, duke i akuzuar partitë opozitare për pengesë të qëllimshme.
Ymeri: Tek Vetëvendosje qëndrimet ndryshojnë për 2-3 orë
Analisti Visar Ymeri theksoi se tek LVV ka ndodhur një transformim i shpejtë i qëndrimeve politike, që më parë kërkonte vite, ndërsa tani ndodh brenda orësh.
“Nevojitet normalizim i gjuhës politike dhe ndihmë nga faktorët ndërkombëtarë, sepse akterët vendorë nuk po arrijnë marrëveshje mes tyre”, tha Ymeri.
Hoxha: Haxhiu është edhe në pyetje edhe në pikëpyetje
Analisti Yll Hoxha ironizoi me dështimet e njëpasnjëshme për votimin e Haxhiut, duke e quajtur rast unik në historinë parlamentare.
“Nuk mbahet mend një kandidat që ka dështuar 20 herë. Është edhe në pyetje edhe në pikëpyetje. Nuk mendoj se është burimi i problemit, por instrument i tij”, tha Hoxha.
Gashi: Vetëvendosje po përdor taktikën “i kemi numrat” pa i pasur
Analisti Astrit Gashi e krahasoi situatën aktuale me krizën e vitit 2017, duke thënë se LVV po e përdor taktikën e mbajtjes së temës “të nxehtë” pa pasur realisht shumicën në Kuvend.
“Mungesa e votave po fshihet pas pretendimeve publike. Po i kontaktojnë deputetët, por rezultat konkret nuk ka”, theksoi Gashi.
Më 27 maj, Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë përpjekjen e 22-të për konstituim, me sfidën kryesore të votimit të komisionit ad hoc dhe pastaj të kandidaturës së Albulena Haxhiut. Deputetët, që marrin mbi 1800 euro në muaj, ende nuk kanë arritur të zgjidhin bllokadën dy-mujore.