Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, po vepron pa asnjë koordinim me institucionet amerikane, duke rrezikuar dhe dëmtuar interesat kombëtare të SHBA-së në rajon.
Zyrtarë të lartë të diplomacisë amerikane kanë theksuar se veprimet dhe deklaratat e Grenell shpesh janë të pakoordinuara dhe krijojnë konfuzion tek partnerët ndërkombëtarë dhe aleatët amerikanë, veçanërisht në Ballkan, ku SHBA ka angazhime të qarta dhe strategjike për stabilitet dhe paqe afatgjate.
“Ne ritheksojmë se politika zyrtare e SHBA-së për rajonin udhëhiqet nga administrata dhe Departamenti i Shtetit, dhe askush që nuk është në këtë linjë zyrtare nuk përfaqëson interesat tona,” thuhet në deklaratën e shkurtër nga Departamenti i Shtetit.
Kjo deklaratë vjen pas disa ndërhyrjeve publike të Grenell lidhur me çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilat ai është kritikuar se përdor platforma personale për qëndrime politike, duke cenuar qartësinë e politikës së jashtme amerikane në sytë e aleatëve.
SHBA mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, duke inkurajuar palët të punojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që siguron stabilitet dhe zhvillim në rajon.