E diel, 27 Korrik, 2025
18.3 C
Klina

Tolaj dhe Adetunyi ‘show’ – Ballkani merr fitore me dy gola epërsi ndaj Florianas

Ballkani ka fituar ndaj Florianas me rezultat 4-2 në ndeshjen e vlefshme për rrethin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës.

Mysafirët që në start e nisën mirë, duke arritur të fitojnë një penallti.

Jake Grech ishte i saktë nga pika e bardhë për të shënuar për 1-0 në minutën e 8-të.

Pas pesë minutash, Ballkani arriti t’i barazojë shifrat me Almir Kryeziun që asistoi te Bleart Tolaj që shënoi për 1-1.

Goli i tretë erdhi nga mysafirët në minutën e 25-të që gjetën epërsinë për 2-1 me sulmuesin gambian Mustapha Jah.

Por Ballkani reagoi sërish shumë shpejt, me Giovannin që asistoi te Sunday Adetunji që shënoi për 2-2.

Në minutën e 32-të, Ballkani mori epërsinë për herë të parë në këtë ndeshje, ku kësaj radhe Adetunji ishte asistues, ndërsa Tolaj shënoi golin e dytë personal për 3-2.

Ballkani pas golit tentoi të gjejë golin e katërt dhe të qetësisë, por maltezët ishin të sigurt në mbrojtje.

Në sekondat e fundit të pjesës së parë, energjia elektrike u ndal në stadium “Fadil Vokrri”, ku gjyqtari pastaj i dërgoi skuadrat në pushim.

Ballkani e nisi mirë pjesën e dytë, duke radhitur rastet para portës së Florianas.

Në minutën e 74-të, Ballkani shënoi golin e katërt me Gerlab Smjalin që asistoi te Adetunyi që shënoi golin e dytë personal për 4-2.

Ish kampioni i Kosovës kishte raste edhe për golin e pestë, por nuk ia arriti.

Ballkani mori një fitore të rëndësishme që duhet ta ruajë për ndeshjen kthyese. /Telegrafi/

Top Lajme