Bota e sportit është në zi pas ndarjes nga jeta të legjendës së mundjes, Hulk Hogan, në moshën 71-vjeçare.
Emri i tij ishte sinonim i një epoke të tërë në WWE, dhe figura e tij la gjurmë edhe përtej ringut – në film, politikë dhe kulturë pop.
Një ndër të parët që reagoi për humbjen e ikonës ishte Donald Trump Jr., djali i ish-presidentit amerikan.
Përmes një postimi në platformën X, ai shkroi shkurt, por me ndjenjë: “U prehtë në paqe”.
Mesazhi u shoqërua me një selfie ku ai dhe Hogan shfaqen bashkë buzëqeshur në Konventën Kombëtare Republikane të vitit 2024 në Milwaukee, Wisconsin – një kujtim i fundit publik i yllit të WWE në mbështetje të kandidaturës së Donald Trump për president.
Hogan nuk ishte vetëm një ikonë e ringut, por edhe një zë i fuqishëm në arenën politike në vitet e fundit.
Ai mbajti fjalime dhe mori pjesë në aktivitete publike në mbështetje të fushatës së Trump, duke treguar një lidhje të fortë me kampin republikan. /Telegrafi/