Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërkon nga Ministria e Drejtësisë që urgjentisht të veprojë duke siguruar fondet e mjaftueshme për mbulimin e të gjitha shpenzimeve për mbrojtjen e sa më të dinjitetshme të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë.
OVL UÇK përmes kësaj letre dërguar ministres në detyrë të Drejtësisë Albulena Haxhiu shpreh shqetësimin e thellë mbi mungesën e mbështetjes financiare institucionale për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Proceset që po zhvillohen në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së përfaqësojnë jo vetëm individët, por edhe historinë e drejtë të luftës çlirimtare. Mbrojtja adekuate dhe profesionale e tyre është një domosdoshmëri themelore e drejtësisë dhe një detyrim moral e institucional i Kosovës, thuhet në letrën drejtuar ministres në detyrë Albulena Haxhiu.
“Fatkeqësisht, mungesa e mjeteve financiare për të siguruar këtë mbrojtje po krijon një situatë serioze, e cila jo vetëm që cenon të drejta elementare të të akuzuarve, por rrezikon që i tërë procesi të zhvillohet në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë. Kjo na bënë të dyshimtë se pas kësaj vonese qëndron një qëllim i paramenduar i mos mbështetjes i cili bie ndesh me parimet kushtetuese të mbrojtjes së qytetarëve dhe garantimit të një procesi të drejtë ligjor.”
Organizata e Veteranëve e Luftës së UÇK-së kërkon me urgjencë sigurimin e menjëhershëm të mjeteve të nevojshme për mbrojtjen juridike të të burgosurve në Hagë, krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm, që të bëjë mbikëqyrjen profesionale të gjykatës, si dhe angazhim direkt institucional për të garantuar që të gjithë të akuzuarit të kenë qasje të barabartë në mbrojtje të kualifikuar dhe të pavarur.
Mos reagimi i institucioneve në këtë drejtim do të përbënte një neglizhencë serioze me pasoja të rënda, duke dëmtuar jo vetëm individët konkretë, por edhe dinjitetin e luftës për liri, përfundon OVL e UÇK-së.
Kujtojmë, Ministria e Drejtësisë kishte bërë të ditur se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24 korrik 2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht, në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike.
Sipas kësaj, ministrie, nga fillimi i procesit në total janë paguar 32,944,287.77 euro (tridhjetë e dy milionë e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë centë).
Nga kjo shumë, për mbrojtjen e Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5,353,301.02 € (pesë milionë e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e dy centë)”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, deri më tash janë tërhequr disa nga ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.
Kuvendi i Kosovës më 2015 miratoi një Ligj që mundësoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Bashkë me të, deputetët miratuan edhe një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.
Por, me udhëzimin administrativ MD – Nr. 02/2020, të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Selim Selimi, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.
Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë madje, edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave.