Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është përballur sot me një situatë jo të këndshme ndërsa ishte në një lokal.
Një qytetar i afrohet deputetes dhe i kërkon që t’i paguajë faturën, transmeton Telegrafi.
“Paguma këtë faturë, se i ke bërë milionat. A të kujtohet kur u thoshe ‘hajna’ atyre? E ju çfarë jeni? I keni bërë milionat, marre të keni, këtë shtet po e vjedhni. Hajna, hajna, hajna”, tha qytetari.
Pas kësaj, deputetja ngrihet në këmbë dhe thotë: “Unë nuk tutna, as nuk guxon të më prekësh”.
Ndryshe, së fundmi në media u raportua se bashkëshorti i deputetes, Fitore Pacolli, ka përfituar disa fonde.
Lidhur me këtë, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli kishte reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Burri im, Ilir Dalipi nuk i ka përfituar 52 mijë euro. Titulli që po qarkullon në disa portale është tendencioz, manipulues dhe i qëllimshëm, jo për të informuar publikun, por për të më sulmuar, mua personalisht dhe për të njollosur Qeverinë Kurti. Ky është një sulm politik dhe moral i ulët, i ndërtuar mbi insinuata të pavërteta, pa asnjë fakt ligjor apo etik.
Bashkëshorti im ka qenë bashkëthemelues i organizatës ‘Defy Them’, por ka vite që ai nuk është më pjesë e kësaj organizate. Kjo organizatë kulturore është themeluar me qëllim që të mbështesë komunitetin e artistëve të rinj, veçanërisht në fushën e muzikës rock dhe alternativës urbane”, ka deklaruar ajo. /Telegrafi/