Drita ka shënuar fitore komode në shtëpi ndaj Dukagjinit, në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës, duke triumfuar me rezultat 3-1.
Pavarësisht që mysafirët nga Klina e zhbllokuan rezultatin fillimisht me golin e mesfushorit të talentuar Dienit Isufi në minutën e 20-të, reagimi i Dritës erdhi shumë shpejt. Vetëm tre minuta më vonë, Liridon Balaj barazoi shifrat (23’), duke rikthyer besimin te “Intelektualët”.
Skuadra gjilanase më pas mori lojën në kontroll dhe dominoi në të gjitha aspektet. Sulmuesi në formë, Arb Manaj, shënoi ndaj ish-klubit të tij në minutën e 54-të, për t’i dhënë epërsinë Dritës. Ndërkohë, Salifu Ibrahim vulosi fitoren me golin e tretë në minutën e 86-të, pas një topi të kthyer nga goditja e parë.
Me këtë triumf, Drita ngjitet në pozitën e pestë të tabelës me tetë pikë, ndërsa Dukagjini bie në vendin e tretë me 13 pikë. Ky rezultat pritet të ndikojë drejtpërdrejt në garën për kreun e kampionatit.
