REAGIM PUBLIK
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Klinë, dënon ashpër shkeljet e rënda dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare nga ana e kryetarit në ikje Zenun Elezaj dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
Ajo çfarë ka ndodhur në Klinë, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, është turp institucional dhe dhunim i parimeve demokratike. Komuna është shndërruar në mjet elektoral në shërbim të AAK-së, duke u përdorur buxheti publik për ndikim të paligjshëm në rezultatet e zgjedhjeve.
Një ditë para zgjedhjeve të rundit të parë, janë shtruar oborre private dhe rrugë me asfalt, janë nisur projekte që kanë qenë të harruara për katër vite, vetëm për t’u përdorur si karrem elektoral. Kjo është shkelje flagrante e ligjit dhe moralit publik.
Në kulmin e këtyre abuzimeve, Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka bërë shpallje publike, me 15. 10. 2025 për subvencione (freza, spërkatëse, multikultivatorë), vetëm 24 ditë para balotazhit, nënshkruar nga drejtori i cili vetë ishte kandidat i AAK-së për Kuvendin e Komunës.
Ky është keqpërdorim klasik i pozitës zyrtare dhe ndikim i drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor, në kundërshtim të hapur me Nenin 3 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, që ndalon përdorimin e posteve publike dhe burimeve komunale për përfitime partiake.
PDK, Dega në Klinë nuk do të heshtë përballë manipulimeve, presioneve dhe abuzimeve me paranë e qytetarëve. Demokracia nuk mund të funksionojë mbi asfaltin e oborreve të shtruara për vota, as mbi subvencione të ndara për interesa politike.
Klinës i duhet drejtësi, ndershmëri dhe përgjegjësi, jo pushtet që e përdor komunën si pronë private.
PDK, Dega në Klinë
16 Tetor 2025
